Tërrnje

Vendbanimi shtrihet rreth 8 km në jugperëndim të Therandës. Është një vendbanim i tipit të grumbulluar, i vendosur në një luginë pranë kodrës së afërt. Sipërfaqja totale e tij është 467 hektarë, 48 ari, dhe 45 metra katrorë. Familjet që përfaqësojnë kryesisht popullsinë e këtij vendbanimi janë: Vranoci, Llapatinca (Muhaxheri), Obrazhda, Gashi, Balaj, Rexhaj, Voci, Shaqiri, Vraniqi, Shabanaj, Sofra etj. Mikrotoponimet më të shquara përfshijnë: Zabeli i Pashës, Lesku, Nërjaz, Livadhe të Thata, Ugaret, Rruga e Nëpërbishtit, Rrezina, Resula, Tuma, Arat e Gjata, Arat e Mëdha, Brelloci, Kulla e Ali Haj-dciht etj. Ky vendbanim ka qenë banuar që nga periudha e antikitetit. Gjurmë të vendbanimeve ilire janë zbuluar jo larg këtij vendbanimi, siç është rasti i Hisarit, Tarazhdës, Gjinocit, Leshanit etj. Në dokumente të vjetra përmendet se Stefan Nemanja në vitin 1198/99 ia dhuron manastirit të Hilandarit, ndërsa në vitin 1348, Car Dushani ia dhuron manastirit të shenjtërve Mihal e Gabriel afër Prizrenit. Banorët e këtij vendbanimi janë përmendur në Librin e kujtimeve të manastirit të Shën Trinës afër Mushtishtit në vitin 1465. Ndërkohë në defterët osmanë nuk ka të dhëna ose është regjistruar me ndonjë emër tjetër, por mund të ketë qenë braktisur në këtë kohë. Ky vendbanim kah mesi i shekullit të XIX-të ka pasur banorë shqiptarë, serbë dhe roma. Rreth vitit 1879, ky vendbanim kishte 4 shtëpi shqiptare, 4 shtëpi serbe dhe 1 shtëpi romë. Pas dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në vitin 1878 dhe disa më vonë, banorët shqiptarë nga fshatrat Obrazhdë, Pustarekë, Llapashticë, Berjanë, Momqillë, Vranoc dhe Gajton u vendosën në këtë vendbanim. Shumë prej këtyre familjeve morën rrugën për në Turqi, siç ishte rasti i Obrazhdëve, Berjanëve në Izmir, dhe Gajtonëve, etj. Në dokumentet e sallnameve turke të vitit 1893 (1311 h), 1896 (1314 h) dhe 1900 (1318 h), ky vendbanim është regjistruar me emrin Tarsena, pranë Leshanit. Në vitin 1936, përkatësisht në periudhën midis dy Luftëve Botërore, u vendosën në këtë vendbanim 17 familje kolone serbe. Të dhënat statistikore për popullsinë janë si vijon: Në vitin 1913: 262 banorë; Në vitin 1918: 19 shtëpi shqiptare me 184 banorë; Në vitin 1921: 20 shtëpi me 176 banorë; Në vitin 1928: 18 shtëpi me 170 banorë; Në vitin 1948: 45 shtëpi me 321 banorë; Në vitin 1953: 45 shtëpi me 309 banorë; Në vitin 1961: 53 shtëpi me 429 banorë (363 shqiptarë, 65 serbë, 1 të tjerë); Në vitin 1971: 56 shtëpi me 534 banorë shqiptarë; Në vitin 1981: 88 shtëpi me 720 banorë shqiptarë. Para agresionit serb në vitet 1998-99, fshati kishte 120 shtëpi me rreth 1200 banorë shqiptarë. Më 24 dhe 25 mars të vitit 1999, forcat paramilitare serbe rrethuan fshatin. Atje, autoritetet serbe vranë dhe masakruan 46 civilë atë natë, përfshirë pleq, gra, fëmijë të moshave dhe gjinive të ndryshme. Ndër ta ishin edhe 9 mysafirë nga Gurra (Studençani) dhe 1 mysafir nga Qëndresati (Randobrava) që ishin strehuar aty. Vetëm nga ky vendbanim u humbën jetën 29 persona. Pastaj, u dogjën rreth 90% e shtëpive, shkolla fillore me dokumentacionin dhe bibliotekën e saj, si dhe shtëpia e kulturës. Popullsia e fshatit u deportua me dhunë në Shqipëri. Sipas të dhënave të Kuvendit Komunal në vitin 2000, kishte 1270 banorë. Raporti i Human Right Watch tregon se në fshatin Tërrne, gjashtë kilometra në jugperëndim të Suharekës, u vranë të paktën 24 persona më 25 mars, përfshirë edhe 7 fëmijë të moshës 15-vjeçare dhe më të vogël. Kjo ngjarje është përshkruar detajisht në raportin e tyre.

1
1
1
1
1
1

Galeria