Semetishti

Ky vendbanim shtrihet rreth 7 km në veriperëndim të Therandës, vendosur në një luginë të rrafshët, e rrethuar nga kodra të ndryshme. Është një vendbanim i tipit të grumbulluar. Karakteristika e veçantë e këtij fshati dhe të zonave të tjera në këtë rajon është prania e burimeve të shumta - gurra dhe lani, të cilat kanë koncentruar vendbanimet. Sipërfaqja e këtij vendbanimi është 720 ha, 08 ari, 42 m. Disa prej lagjeve më të njohura janë: Imerajt, e Burimit, Hoxhajt I dhe II, Elezajt, Jonuzajt, Bahtijajt, Isufajt etj., të cilat përbëjnë pjesën e madhe të fshatit. Mikrotoponimet më të dallueshme përfshijnë: Pllaze, Leshka, Kopaça, Arat mbi Katund, Te Vneshtet, Rrezina, Kuçishtë etj. Ky vendbanim është i vjetër dhe ka qenë banuar nga popullsia iliro-dardane. Gjurmët e vendbanimit të vjetër evidentohen në vendin e quajtur Kopaça, në lindje të fshatit. Mikrotoponimi Lugu i Kishës është i ruajtur në pjesën veriore, afër shkollës. Varrezat e vjetra gjenden pranë shkollës, ku, megjithatë, nuk janë bërë gjurmime arkeologjike. Gjatë zbulimeve rastësore në këtë zonë janë gjetur unaza, monedha, skelete, dhe gurë në thellësi të ndryshme. Duke u bazuar në gjurmët arkeologjike, traditën popullore dhe strukturën e terrenit, tregon se kjo zone prej Therandës deri në Breshancë dhe Mamushë ka qenë një vendbanim i ngarkuar, siç e tregon edhe shënimet për ecjen e macës në kulmet e shtëpive dhe muret. Në dokumente të ndryshme të shkruara, vendbanimi është përmendur në kartën mesjetare të vitit 1348. Më vonë, në defterin kadastral osman të Sanxhakut të Prizrenit të vitit 1591, përmendet me emrin Shemesta dhe kishte 7 shtëpi, 4 beqarë dhe 1 çift. Në qendër të fshatit ndodhet xhamia e vjetër, e cila llogaritet të jetë mbi 350 vjet e vjetër. Me emrin Semetishta, ky vendbanim është regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës në vitet 1893 (1311 h), 1896 (1314 h), dhe 1900 (1318 h). Në vitin 1935, administrata serbe solli 7 familje kolonizuese sllave nga Kroacia me 36 anëtarë. Ata u vendosën në pjesën e poshtme të fshatit pranë lumit, në tokën e punuar dhe të mbjellë nga popullsia vendase shqiptare. Në vitin 1956, një familje u shpërngul në Stamboll. Megjithatë, gjatë kohës së ndryshme, më shumë se 90 familje janë shpërngulur nga ky vendbanim dhe janë vendosur në Prizren, Ferizaj, Prishtinë dhe zonën gjetiu, për shkak të kushteve më të mira të jetesës. Shënimet statistikore tregojnë se në vitin 1879 kishte 35 shtëpi shqiptare, në vitin 1913 kishte 543 banorë, ndërsa në vitin 1981 ishin rreth 122 shtëpi me 1243 banorë shqiptarë. Para agresionit serb të vitit 1998-99, fshati kishte rreth 195 shtëpi me 1789 banorë shqiptarë. Gjatë agresionit serb të vitit 1999, në këtë fshat u shkatërruan dhe u dogjën mbi 173 shtëpi dhe objekte tjera banimi dhe ndihmëse, shkolla me tërë dokumentacionin e saj dhe xhamia. Në konflikt u humbën katër jete njerëzish si viktima të terrorit serb (3 burra dhe një fëmijë 15 vjeçar). Popullata më 25 mars 1999 u dëbua në Shqipëri. Në fshat ekzistonin struktura të tjera si spitali, kuzhina, depoja e municionit, dhe burgu i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Sipas dokumenteve të Kuvendit Komunal në vitin 2000, popullsia ishte rreth 2100 banorë.

1
1
1
1
1
1

Galeria