Savrova

Shtrihet rreth 5-6 km në juglindje të Therandës, në disa pjesë të rrafshëta dhe pjesë të ngritura në formë të kodrave të vogla. Është vendbanim i tipit të grumbulluar. Familjet e sotme të këtij vendbanimi janë: Zenelaj, Qerkinaj, Gashi, Krasniqi, Kokollari etj. Konsiderohet se familja Gashi ka ardhur nga fshati Koçiaj i Ulqinit, ndërsa disa të tjerë nga fshati Vrrion (Vërshec) i kësaj komune. Thuhet se nga Ujmiri (Savrova) janë shpërngulur në Mleqan, Lumbardh, Carevik, Kijevë etj. Bazuar në gjurmët e kulturës materiale, këtu kanë ekzistuar një ndër vendbanimet më të vjetra të kësaj ane. Në këtë vendbanim janë ruajtur gjurmë të disa varrezave të lashta. Ekzistojnë Varret e Kishës, varreza me gurë me kryqa dhe afër tyre janë edhe themelet e kishës. Afër shkollës gjithashtu ekzistojnë varreza të vjetra. Në një vend të vegjël, Varret e Krushqve, evidentohen varreza. Në zonën nën kishë, në vendin Pllavanicë, ka themele të gurëve të mëdhenj, qeramikë, pusa të ujit, rrugë të kalldrëmit, dëshmi të ekzistencës së një vendbanimi. Populli flet për një rrugë që fillon nga Bungaja (Dvorani) dhe shkon drejt Mamushës. Mikrotoponimet më karakteristike të këtij vendbanimi janë: Shpati i Demerxhisë, Kodra e Varrevë, Roga e Dardhave, Roga e Gatë, Varfet e Krushqve, Varret e Kishës, Fangishta etj. Ka shenja të një rruge që ka kaluar në këtë vendbanim, rruga që ka shkuar nga Buzhala për në Prizren. Në dokumentet e shkruara, ky vendbanim u regjistrua në defterin kadastral osman të Sanxhakut të Shkodrës në vitin 1485 me emrin Dolina Savrnug me 5 shtëpi dhe 1 beqar. Për këtë vendbanim shqiptar, nuk kemi shënime të mëvonshme, mund të jetë që për një kohë ishte i braktisur. Me emrin Savrova është regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës në vitet 1893 (1311 h), 1896 (1314 h) dhe 1900 (1318 h). Në këtë vendbanim, në vitin 1937, u kolonizuan 4 familje serbe nga Kroacia, të cilat në fillim të Luftës së Dytë Botërore u kthyen nga ku ishin ardhur. Shënimet statistikore: Rreth vitit 1879 jetonin 12 familje shqiptare. Në vitin 1913, kishte 208 banorë. Në vitin 1919 me lagjen e Dushkajës (Dubravës) - 28 shtëpi me 226 banorë shqiptarë. Sipas regjistrimit të vitit 1921 - 20 shtëpi me 150 banorë. Në vitin 1948 - 26 shtëpi me 243 banorë. Në vitin 1953 - 33 shtëpi me 315 banorë. Në vitin 1961 - 40 shtëpi me 442 banorë shqiptarë. Në vitin 1971 - 53 shtëpi me 577 banorë shqiptarë. Në vitin 1981 - 76 shtëpi me 837 banorë shqiptarë. Para agresionit serb në vitin 1998-99, fshati kishte 115 shtëpi me 1395 banorë shqiptarë. Gjatë këtyre viteve, në këtë fshat janë djegur e shkatërruar nga agresioni serb 110 shtëpi dhe po aq objekte ndihmëse. Është djegur shkolla, dokumentacioni i saj si dhe shumë libra, sidomos biblioteka private. Gjatë kësaj periudhe janë vrarë e masakruar 20 banorë të fshatit (përfshirë 1 femër, 2 pleq, 4 të rinj dhe të tjerë). Ndërsa 5 persona janë të zhdukur nga ky fshat. Popullata katër herë ka qenë larguar nga fshati, fillimisht nga 28 shtatori 1998, dhe ka qëndruar në zonën malore. Në pranverë të vitit 1999, një numër i banorëve u dëbuan në Shqipëri. Sipas shënimeve të Kuvendit Komunal në vitin 2000, kishte 1579 banorë.

1
1
1
1
1
1

Galeria