Reshtani

Vendbanimi shtrihet rreth 3 km në perëndim të Therandës, në fushën pranë lumit Toplluha dhe në kodrinat. Sipërfaqja e këtij vendbanimi është 275 hektarë, 35 ari, 57 metra katrorë. Në këtë zonë dallohen Mikrotoponimet më karakteristike si: Buçalla, Orasha ose Toplluha, Grapi, Kodra, Rrushullazi, Pazhiku, Dardhat e Ramës etj. Ky vendbanim është një nga zonat e lashta që i përkasin vendbanimeve të përhershme të kohës së neolitit. Lidhet me teracat lumore të Toplluhës, ku ndodhet fshati i sotëm Reshtan. Rekonstruimi i vendbanimeve të neolitit buzë lumenjve tregon se ato nuk kanë pasur karakterin e vendbanimeve të fortifikuara. Ky fakt dëshmon për jetën e banorëve të këtyre vendbanimeve, të cilët nuk janë shfaqur të trembur nga sulmet eventuale. Fillimi i banimit lidhet me vendbanimet e tipit të kasollave, të cilat u përkasin horizontit të parë banues. Në këtë rast, ato përfshijnë gjysmë kasollat me konstruksione mbi tokë të ndërtuara nga kolibet. Në horizontin e dytë banues janë konstatuar mbeturina të vetëm një shtëpie me strukturë dykatëshe me gjatësi 8 metra. Në horizontin e tretë, janë identifikuar mbeturinat e pesë shtëpive, të ndërtuara si kasolla. Fshati i vjetër ka qenë i shtrirë në anën e kundërt të lumit, pothuajse deri tek kodra. Pranë lumit, nën urë, dalin shumë gjurme të qeramikës. Në afërsi të burimit (vrella), janë varreza të vjetra quajtur Varret e Shkive nga popullata. Në vendin e quajtur Lug, deri vonë ka ekzistuar një grumbull gurësh, të cilat, sipas tregimeve të vjetra, atje dikur ka ekzistuar një kishë. Në dokumentacionin mesjetar, ky vendbanim nuk është evidentuar. Mund të ketë qenë i regjistruar me ndonjë emër tjetër, braktisur, ose nuk është gjetur në dokumente të kohës së asaj periudhe. Në këtë vendbanim, familjet kryesore sot janë: Morina, Elshani, Bytyçi, Shala, Kryeziu, Krasniqi etj. Familja Elshani vjen nga fshati Ilirat (Medvec) i komunës së Prizrenit që disa vite më parë. Pas tyre, janë vendosur edhe familje të tjera. Emri Rashtan është evidentuar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës në vitet 1893 (1311 h), 1896 (1314 h) dhe 1900 (1318h). Në vitin 1879, ky vendbanim kishte 10 shtëpi (7 shqiptare, 2 serbe - të cilat, siç duket, Jastrebovi i regjistron si serbe, ndërsa familjet shqiptare të besimit katolik i regjistron si serbe) dhe 1 rom. Në dokumentacionin historik arkivore të vitit 1903, nuk përmendet asnjë banor serb në këtë vendbanim, duke e bërë dyshimtare shënimin e Jastrebovit, duke sugjeruar se mund të kenë qenë shqiptarë katolikë ose romë ortodoksë. Sipas regjistrimit të vitit 1913, fshati kishte 238 banorë. Ndërsa në vitin 1918, kishte 23 shtëpi shqiptare myslimane me 110 banorë. Në vitin 1921, kishte 26 shtëpi me 185 banorë. Në periudhën mes dy luftërave, u vendosën 7 familje kolone serbe. Shënime statistikore: Në vitin 1948, kishte 35 shtëpi me 226 banorë. Në vitin 1953, kishte 48 shtëpi me 311 banorë. Në vitin 1961, kishte 55 shtëpi me 349 banorë (320 shqiptarë, 26 serbë, 3 të tjerë). Në vitin 1971, kishte 59 shtëpi me 460 banorë shqiptarë. Në vitin 1981, kishte 86 shtëpi me 823 banorë shqiptarë. Para sulmit serb, ky fshat kishte 222 shtëpi me rreth 2000 banorë. Nga këto, 7 shtëpi ishin hashkali me 40 banorë. Gjatë ofensivës së 23 gushtit 1998, u djegën vetëm 35 shtëpi të banuara dhe 10 shtëpi në ndërtim. Në mars të vitit 1999, u djegën vetëm 8 shtëpi të banuara dhe 6 në ndërtim. Gjithashtu, u shkatërruan mbi 80% e objekteve përcjellëse si odat, shtallat, garazhet etj. U dogj edhe biblioteka e shkollës që kishte 4000 libra, si dhe biblioteka personale të shumë banorëve. Shkolla u dëmtua në masë të konsiderueshme dhe u tentua djegia e saj, së bashku me hapësirat e arsimtarëve dhe dokumentacionin pedagogjik. Në këtë fshat, 21 banorë janë ekzekutuar në një mënyrë të tmerrshme në fshatin Sopi në Therandë ku ishin të strehuar, përfshirë persona të moshave dhe origjinave të ndryshme, si dhe dy pjesëtarë të UÇK-së janë dëshmorë. Popullsia u largua më 22 mars 1999 dhe u strehua në vende të ndryshme, disa prej tyre në Shqipëri. Gorina Gorina ishte ndërmjet fshatrave Randobravë, Hoça e Vogël dhe Reshtan. Përmendet në krisobulën e perandorit Dushan. Për një periudhë të gjatë, ky fshat ka qenë i braktisur.

1
1
1
1
1
1

Galeria