Reqani

Vendbanimi ndodhet në një luginë, rreth 4 km në lindje të Therandës. Është një vendbanim i tipit të grumbulluar. Sipërfaqja e tij është 678 hektarë dhe 69 ari me 4 metra katrorë. Lagjet kryesore në këtë vendbanim janë: Veselaj, Hasanaj dhe Fetaj. Është një vendbanim i vjetër, i cili përfshin Rrafshin e Dukagjinit. Në veri të fshatit, në vendin e quajtur Zhvina, është zbuluar një qyp i madh. Për vjetërsinë e fshatit, dëshmojnë edhe Mikrotoponimet e ruajtura, si Varrezat e Latinëve, Gjinovishtë (Gjini), Burbesh (Arb-nesh), Shibuti (Shën Buti), Kiliqishtë (Kili), Bluda e Palit, dhe të tjera. Në arat e fshatit, të quajtura Rrafshi, është gjetur një vazë e madhe dhe enë qeramike. Në hyrje të fshatit, ekziston një kishë e vjetër iliro-romake, në të cilën është i vizatuar një mozaik i diellit. Mirëpo, më vonë, kishën e përvetësuan serbët. Ka edhe varreza të lashta mbi kishë. Në dokumente të shkruara përmendet në kartën e Car Dushanit të vitit 1348 dhe në relacionin e Gërgur Mazrekut rreth vitit 1671, kur fshati Reçan ende ishte i banuar me popullatë krishtere shqiptare (8 persona). Serbët që ishin pjesë e fshatit vinin nga Dvorani, Mushtishti, Muhlani dhe një familje ishte më e vjetra - Bllagojeviqët. Emri Raçan ose Reqan është i regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës në vitet 1893 (1311 h), 1896 (1314 h) dhe 1900 (1318 h). Në periudhën e Mbretërisë së Jugosllavisë, shumë nga banorët e këtij fshati, falë ndihmës së Rizah Dautit, një bashkëpunëtor i Ramë Bllacës, nuk u shpërngulën në Turqi, por qëndruan në vend. Në këtë vendbanim ka jetuar dhe vepruar Mehmet Reçani, i njohur për anekdota. Shënime statistikore: Në vitin 1871 kishte 17 shtëpi (10 shqiptare, 7 serbe). Në vitin 1905 - 19 shtëpi shqiptare dhe 9 serbe. Sipas regjistrimit të vitit 1913, numri i banorëve ishte 327. Në vitin 1918, ishin 29 shtëpi me 244 banorë (23 shtëpi shqiptare me 198 banorë dhe 6 shtëpi serbe me 49 banorë). Sipas regjistrimit të vitit 1921, ishin 29 shtëpi me 220 banorë. Në vitin 1948, ishin 46 shtëpi me 363 banorë. Në vitin 1953, ishin 53 shtëpi me 421 banorë. Në vitin 1961, ishin 67 shtëpi me 524 banorë (409 shqiptarë, 112 serbë, 3 të tjerë). Në vitin 1971, ishin 77 shtëpi me 706 banorë (552 shqiptarë, 153 serbë, 1 të tjerë). Në vitin 1981, ishin 99 shtëpi me 918 banorë (730 shqiptarë, 188 serbë). Sipas regjistrimit serb të vitit 1991, kishte 180 banorë serbë. Banorët shqiptarë e bojkotuan regjistrimin. Para luftës së viteve 1998-99, fshati kishte 147 shtëpi me 1260 banorë shqiptarë dhe 26 shtëpi serbe. Sipas shënimeve të Kuvendit Komunal në vitin 2000, kishte 1470 banorë. Në kohën e ofensivës serbe në shtator të vitit 1998 dhe marsit të vitit 1999, popullsia u strehua kryesisht në malet e Budakovës dhe Llanishtit, ndërsa një pjesë u vendos në Shqipëri. Nga 147 shtëpitë, vetëm 1 nuk është djegur. Edhe shumë objekte tjera, përfshirë shkolla dhe xhamia e fshatit janë dëmtuar. Në këtë luftë, u vranë 4 dëshmorë nga komuniteti shqiptar, dhe u raportua se dy persona të tjerë u vranë. Një person ishte i zhdukur. Më vonë, shtëpitë dhe objektet serbe u shkatërruan, përfshirë edhe kishën ortodokse.

1
1
1
1
1
1

Galeria