Peqani

Fshati ndodhet në veri të Therandës, rreth 3 km larg. Koncentrimi më i madh i shtëpive të banimit gjeohet në një luginë i rrethuar nga kodra nga të gjitha anët. Ka një lidhje rrugore të asfaltuar me qytetin. Rrugët që lidhen me vendbanimet tjera si Reshtan, Semetisht, Dardhë (Sllapuzhan) e Bllacë janë të paasfaltuara. Shkolla në këtë fshat u ndërtua para 12 viteve me kontributin e banorëve, me një sipërfaqe prej 1162 metra katror. Sektori kryesor ekonomik i fshatit është bujqësia, më pas biznesi privat, punësimi në botën e jashtme, punësimi në sektorin publik etj. Në këtë vendbanim sot jetojnë familje si Elshani, Sopaj, Krasniqi, Gashi, Bytyçi, Fetiu, Hoxha etj. Mikrotoponimet më karakteristike janë: Gallusha, Rrushullaz, Kopaça, Llokaq, Servishte etj. Ka shenja të lashtësisë. Në fshat ekziston një burim i rëndësishëm i ujit, një burim guri, i shoqëruar me një shpellë ku flitet se mund të ketë qenë faltore e Bindit, zotit të ujit. Gjurmë të kulturës materiale dhe lokalitete arkeologjike hasen në të gjithë vendbanimin. Supozohet se në oborr të një shtëpie në fshat ka një tumë ilire. Në vendin Te Kisha, ka gjurmët e një kishe katolike dhe në një lendinë thuhet se ka ekzistuar një kishë mesjetare. Gjurmë arkeologjike gjenden edhe te xhamia e fshatit. Vendvarreza të shumta të panjohura përkatëse kultures së lashtë dëshmojnë për historinë e fshatit. Ky vendbanim ka qenë i njohur për mullinj, prodhimin e verës etj. Në një familje në këtë vendbanim, në kotecin e pulave, u gjet një vorbë e periudhës bizantine. Në oborrin e kësaj shtëpie gjenden edhe disa fragmente të stelave, të cilat nuk janë studiuar. Në pjesën jugore të fshatit, në vitin 2001, në vendin Pllace (sot ara) janë zbuluar gurë me vizatime-dekorime të fletëve të pemëve, lule, një shkrim i vjetër latin IOM. Aty janë zbuluar mure të gjëra të ndërtesave të lidhura me një lloj gëlqere, tjegulla dhe tulla të pjekura të dimensioneve të ndryshme, gurë të gdhendur etj. Kjo dëshmon se këtu ka ekzistuar një qytet antik i tipit municipium. Deri me tani, nuk janë kryer gjurmime arkeologjike. Referuar dokumenteve të shkruara, në vitin 1348 është përmendur në kartën e perandorit Dushan dhe në Librin e kujtimeve të manastirit të Shën Trinës pranë Mushtishtit që ka filluar të ruhet qyse prej vitit 1465. Ky vendbanim është i regjistruar në një hartë austriake të hartuar në bazë të shënimeve të vitit 1689. Emrat kanë ndryshuar gjatë kohës: më 1783 është regjistruar si Dorf Pettschane, në vitin 1840 si Peteiana. Me emrin Peqan është i regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës në vitet 1893 (131.1 h), 1896 (1314 h) dhe 1900 (1318 h). Disa familje u larguan nga ky vendbanim në periudhën ndërmjet dy luftërave drejt Turqisë. Rreth 30 viteve më parë, disa familje shqiptare filluan të vendoseshin në pjesën jugore të fshatit, duke krijuar një lagje të re që tani njihet si Peqani i Vogël. Kjo lagje kishte 26 shtëpi në vitin 1999. Të dhënat statistikore janë si vijon: Në vitin 1879 kishte 49 shtëpi (48 shqiptare, 1 serbe - shqiptare katolike, e regjistruar si serbe nga Jastrebovi). Sipas regjistrimit të vitit 1913, kishte 835 banorë. Në vitin 1918, kishte 90 shtëpi shqiptare myslimane me 648 banorë. Në vitin 1921, kishte 98 shtëpi me 302 banorë. Në vitin 1948, kishte 124 shtëpi me 887 banorë. Në vitin 1953, kishte 144 shtëpi me 941 banorë. Në vitin 1961, kishte 141 shtëpi me 1008 banorë shqiptarë. Në vitin 1971, kishte 162 shtëpi me 1394 banorë shqiptarë. Në vitin 1981, kishte 204 shtëpi me 1885 banorë shqiptarë. Para agresionit serb, sipas shënimeve të marra në terren, në vitet 1998-99, kishte 220 shtëpi me rreth 2624 banorë shqiptarë (1289 meshkuj dhe 1326 femra). Lufta e fundit ishte një katastrofë e vërtetë për fshatin. Nga ky konflikt, fshati u shkatërrua në tërësi. Nga rreth 380 objekte, janë shkatërruar: 138 të kategorisë së V, 172 të kategorisë së IV, ndërsa pjesa tjetër ishin e kategorive me dëmtime më të pakta. Vetëm 15 shtëpi shpëtuan pa dëmtime. Dëme të mëdha pësuan edhe shkolla e fshatit, rrjeti elektrik, xhamia u shkatërrua tërësisht dhe shumë dëme të tjera në bujqësi dhe veprimtari të tjera. Më 24 mars 1999, popullata u dëbua nga fshati. Gjatë kësaj periudhe u vranë 15 banorë të fshatit, ndër të cilët 7 ishin dëshmorë.

1
1
1
1
1
1

Galeria