Grejkoci

Vendbanimi shtrihet rreth 11 km në jug të Therandës, rrëzë kodrave malore i lëshuar në pjesën e rrafshët, i tipit pjesërisht të shpërndarë. Në këtë vendbanim jetojnë këto familje kryesore: Zenelaj, Kicaj, Beqiraj, Tafaj, Selimaj, Haxhaj, etj. Është vendbanim i vjetër. Këtu gjatë lërimit të një are më 1984, u gjet një pitas i madh i periudhës romake. Pranë xhamisë deri vonë kanë qenë themelet e një kishe ilire, mirëpo, kjo bie ndesh me thënien e popullit - gojdhënës se banorët e Grykosit kanë ardhur nga Shtatinoci para 3-4 shekujve. Pranë kishës ka pasur lisa të cilët më nuk ekzistojnë. Gjurmët e kishës janë zhdukur. Në popull flitet se këtë kishë e kanë vizituar shumë vite më herët priftërinj ortodoksë për qëllime të caktuara. Në popull qëndron gojëdhëna rreth gjenezës së fshatit, ku thuhet se fshati i sotëm është themeluar (ri-themeluar) para 3-4 shekujve. Banorët e këtij fshati kanë ardhur nga fshati Shtatinoc (tani i zhdukur), që gjendet 2 km në perëndim të Grykosit (Grejkocit). Sipas gojëdhënës, në këtë fshat paska rënë një epidemi, kolerë, dhe shumë banorë paskan gjetur vdekjen. Kjo ndoshta ka ardhur si pasojë e ujit të dobët. Njerëzit ishin dobësuar shumë. Atyre u kishin mbetur vetëm kockat. Për ti shpëtuar zhdukjes totale, ata të cilët kanë mbetur gjallë thonë njëri-tjetrit - ngri kockat dhe ik afër malit. Si arsye ka qenë se në vendbanimin e ri, uji ishte i pijshëm, ajri i freskët dhe terreni më i përshtatshëm për banim. Prandaj, nga shprehja ngri kockat ka ardhur shprehja Grejkoc. Bile edhe sot të vjetrit e shqiptojnë Ngrikoc. Banorët kanë ardhur nga fshati i braktisur Shtatinoc. Është karakteristike se mikrotoponimet e viseve malore janë në shqip, ndërsa ato fushore janë të përziera. Si mikrotoponime karakteristike janë: Dushkaja, Hija e Druve, Hija e Gjonë, Hija e Ngushtë, Kroni i Grave, Prroni i Keq, Skrepi i Madh, Skrepi i Vogël, Guri i Livadheve, Ashta e Keqe, Te Lisat e Kishës, Te Kisha e Haxhëve, Laku i Magarit, Kroi i Bardhë, Kroni i Sumbullores, Kroni n Kodër, Ledina e Stanit, Rrafshi i Ufllave, Lami i Lopëve, Xhehnemi, Lami i Dhive, Guri i Orlave, Boka e Kuqe, etj. Në dokumentet e shkruara përmendet në Librin e kujtimeve të manastirit të Shën Trinës afër Mushtishtit, i cili mbahej prej vitit 1465.

1
1
1
1
1
1

Galeria