Greiçec

Shtrihet rreth 22 km në verilindje të Therandës. Është vendbanim kodrinoro-malor. Është i ndarë në disa lagje, të cilat janë mjaft larg njëra prej tjetrës. Lagjja më e vjetër thuhet se është ajo Reshani. Ekzistojnë edhe lagje të tjera me emra karakteristikë, si Luboci, Çarri, Bungu, Bokaj, Tërshani, Reshani, Seferi etj. Ky vendbanim përfshin një territor shumë të gjerë, prandaj është i pasur me mikrotoponime të shumta, siç janë Gjyleti, Ara e Hoxhës, Livadhi i Gatë, Te Guri Kaqep, Te Furrat e Qereqit, Kodra e Seferve, Dardha e Kuqe, Kodra e Stanit, Lugi i Shingjingjes, Rranimi, Përroni i Lubocës, Kodra e Topillës, Koreniku, Livadhi i Ahmetit, Shpati i Kishës, Përroni i Kishës etj. Është vendbanim i vjetër ilir, i cili është shtrirë në kodrën e quajtur "Kodra e Gjytetit". Aty ka gjurmë të vendbanimit të vjetër, si gurë, tjegulla, tulla etj. Në vendin Krapangja ka ekzistuar një kishë e vjetër iliro-shqiptare. Ndërsa në vendin Pylla e Varreve, në lagjen e Bungajve, ekzistojnë varreza të moçme për të cilat nuk dihet shumë. Edhe në lagjen Luboci dhe Bungu janë ruajtur mikrotoponimet Përroni i Kishës dhe Shpati i Kishës. Duket se një kohë të gjatë ka qenë i braktisur, kështu që nuk është dokumentuar në shkrimet mesjetare ose më vonë, ose ndoshta është regjistruar me ndonjë emër tjetër. Në dokumentet e shkruara, gjenden të dhëna nga një shkrim i arqipeshkv Pjetër Karagiqi i vitit 1725, ku përmendet se në Prizren famullitar dhe misionar apostolik ishte studenti i Kolegjit Ilirik i Loretos, don Pjelër Bytyçi. Këtij misioni i përfshinte edhe fshati Graivcezza me 6 shtëpi dhe 40 anëtarë besimtarë të krishterë. Duhet të theksojmë se një numër i madh i banorëve të këtij fshati janë shpërngulur në vise të ndryshme, veçanërisht në Kosovë, duke ruajtur mbiemrin e tyre, i cili ka qenë bazuar në emrin e fshatit. Disa shtëpi nga ky fshat janë shpërngulur në Shqipëri. Fshati gjatë historisë ka pësuar shumë ngjarje, sidomos në vitin 1912, siç thotë populli, gjatë kohës së Serbisë së Parë. Agrari gjatë kohës së Mbretërisë Jugosllave vendosi shumë kolona në Qafë të Duhlës, ku i mori pronat dhe i dhuroi atyre, veçanërisht pyje. Shënimet statistikore: • Rreth vitit 1879 kishte 25 shtëpi shqiptare. • Në vitin 1913 kishte 523 banorë. • Në vitin 1918 kishte 46 shtëpi me 336 banorë. • Sipas regjistrimit të vitit 1921, kishte 51 shtëpi me 402 banorë. • Në vitin 1948 kishte 82 shtëpi me 621 banorë. • Në vitin 1953 kishte 82 shtëpi me 670 banorë. • Në vitin 1961 kishte 87 shtëpi me 692 banorë (683 shqiptarë, 9 të tjerë). • Në vitin 1971 kishte 88 shtëpi me 665 banorë (664 shqiptarë, 1 tjetër). • Në vitin 1981 kishte 69 shtëpi me 593 banorë shqiptarë. Para agresionit serb në vitet 1998-99, ky fshat kishte rreth 143 shtëpi shqiptare me rreth 843 banorë. Gjatë këtyre dy viteve u dogjën të gjitha shtëpitë, përveç dy shtëpive të reja të pameremetuara, të cilat nuk ishin mundur ti djegnin. U shkatërrua shkolla dhe xhamia e fshatit (e ndërtuar në vitin 1897). Nga ky vendbanim u vrane 6 persona dhe 2 janë të zhdukur. Në këtë vendbanim për një kohë ishte stacionuar Batalioni i Divizionit vëzhgues të Brigadës 60 "Kumanova". Shumica e popullatës u deportua në Shqipëri, ndërsa një pjesë qëndroi në zonat malore.

1
1
1
1
1
1

Galeria