Duhël

Vendbanim në shpatet perëndimore të malit të Caralevës, rreth 8-9 km në verilindje të Therandës. Fshati është i ndarë në disa lagje, mjaft larg njëra tjetrës. Shtëpitë nëpër lagje kryesisht janë të grumbulluara. Fshati përbëhet kryesisht prej këtyre lagjeve: Sopa (Çatani, Perteshi, Shukolli), Graishta (Shukolli, Perteshi, Rrafshi etj.), Bajramselimi, Mahalla e Lugut (Lugu, Perteshi) dhe Mahalla e Rrafshit (Rrafshi). Në çdo lagje jetojnë familje të ndryshme. Si në çdo vendbanim të Kosovës, edhe këtu ka lëvizje të popullsisë; për shembull, familja Partesh thuhet se kanë ardhur nga fshati Partesh i komunës së Gjilanit. Mikrotoponimet më karakteristike: Qafa e Duhlës, Gorujë, Livadhet e Dabiqit, Kulla, Biraç, Te Kisha, Mas Pojate, Ara e Madhe, Shpajat, Rrahinat, Rrafshi i Zabelit, Përroni i Keq, Shpati i Rekës, Mas Kodre, Te Vneshtat e Moçme, Arashka, Kroni i Studencit, Kroi i Dalinës, Graishta, Livadhi i Gatë, Rahovenë, Të Mrizet, Klysyra, Vogevina, Ledina e Madhe dhe e Vogël, Sallatakrushë, etj. Për krijimin, zhvillimin dhe pozitën gjeografike të Duhlës, ka pasur rëndësi të madhe rruga e vjetër romake e cila lidhte bregdetin e Shkodrës nëpër Therandë, Duhël e Ulpianë, ku kjo rrugë tregtare nga bregdeti takohej me rrugën e Bosnës. Duke u bazuar në mikrotoponimin Gradishta etj., mund të konstatohet se këtu dikur ishte ndonjë qytet, kështjellë, e ndoshta që nga koha romake, duke u bazuar se nëpër këtë vendbanim strategjik ka kaluar rruga romake, e cila në atë kohë kishte rëndësi të madhe. Në lokalitetin e këtij vendbanimi ka gjurmë të shumta të vendbanimit të hershëm. Kështu në Qafë të Duhlës në vendin e quajtur Selishtë ka gjurmë të lokalitetit të vjetër dhe thuhet se ka ekzistuar një kishë e vjetër. Në vendin Divjak, në lagjen Sopa, në lokalitetin Dobukdo dalin gurë të themeleve të shtëpive dhe është gjetur një gjilpërë e madhe e ashtit. Pothuajse në tërë lokalitetin ka varreza të moçme, si p.sh. në lagjen Sopa. Thuhet se në vendin Te Gurët e Verdhë ka qenë një kishë katolike, që sot është ruajtur mikrotoponimi Te Kisha. Sipas legjendës, thuhet se katër vëllezër nga ky fshat i bënë rezistencë ushtrisë turke. Mirëpo, në luftën e sipër mbetën të vrarë 3 vëllezër, përveç vëllaut të katërt Zefit dhe motrës Dalina. Dalina ishte mbikëqyrëse e kishës shqiptare katolike e ndërtuar në periudhën iliro-shqiptare, ku edhe sot ekzistojnë gjurmët e saj. Po në këtë kishë, Dalina e ruajti të vetmin vëlla Zefin. Ushtria turke deshi ta rrënojë këtë kishë dhe ti vra motrën dhe vëllain. Por, pas shumë lutjeve që ia bëri Dalina, ua falën jetën, me kusht që Zefi të ndërrojë fenë dhe të bëhet mysliman. Nga ajo kohë është ruajtur mikrotoponimi Kroi i Dalinës. Mirëpo, pushteti serbë më vonë këtë mikrotoponim ka tentuar ta sllavizojë, duke e quajtur Kroji Dolina. Në dokumentet e shkruara përmendet me emrin Duhle në kartën e Shën Arkangjelit të Car Dushanit të vitit 1348. Në defterin kadastral të Sanxhakut të Prizrenit të vitit 1591, me emrin Duhila ishin regjistruar 11 shtëpi e bashkë me 7 beqarë. Në këtë rregjister kadastral ishte regjistruar edhe Trullishta Divjak pranë fshatit Duhël. Në një hartë austriake të vitit 1689 është i regjistruar vendbanimi: Dulja e Epërme dhe Dulja e Poshtme. Udhëpërshkruesi françez Ami Bou, duke kaluar nëpër këtë vendbanim në vitin 1837 në mes tjerash shkruan: "Pak më në jug nën grykë është fshati shqiptar Dulja me rreth 20 shtëpi të shkapërderdhura, të cilat ishin të mbuluara me rrasa, ndërsa në mes tyre nuk kishte rrugë". Në udhëpërshkrimin e tij M. Milojeviq rreth vitit 1875 thekson se Dulja i ka 26 shtëpi shqiptare dhe 4 shtëpi serbe. Shënimi tjetër, të cilin e jep gjeneralshtabi austro-hungarez për nevoja ushtarake në përshkrimin e vendeve në Sanxhakun e Plevles dhe Vilajetin e Kosovës, për Dulje shkruan se është në të dy anët e rrugës, e shpërndarë në grupe të vogla, me gjithsej 60 shtëpi shqiptare. Ka stacionin e xhandarmërisë në vendin Biraq. Në vitin 1879 i shënon 20 shtëpi, nga të cilat 16 ishin shtëpi shqiptare dhe 4 shtëpi serbe. Fjala është për shtëpitë shqiptare katolike. J. Cvijiqi në vitin 1910 kishte takuar 6 shtëpi serbe. Pra, siç po shihet, jepen shënime kontradiktore, ndoshta edhe të pasakta. Mirëpo, duhet theksuar se autorët serbë shtëpitë shqiptare të konfesionit katolik i regjistronin si shtëpi serbe, prandaj shënimet e Millojeviqit, Cvijiqit etj., duhet marrë me rezervë. Vendkalimin nëpër Duhël, përkatësisht nëpër Grykën e Caralevës, e përmendin shumë udhëpërshkrues, duke e përshkruar si të rrezikshëm. Për sigurimin e këtij vendkalimi, pushteti osman kishte ngritur rojën e përhershme, përkatësisht stacionin e xhandarmërisë në vendin Biraq, përkatësisht Kulla. Me emrin Dohle, përkatësisht Duhla është i regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311 h), të vitit 1896 (1314 h) dhe të vitit 1900 (1318 h). Gjatë historisë, sidomos gjatë sundimit osman, si dhe pas pushtimit nga pushteti serb, ky fshat kishte pësuar shumë herë. Këtu kishin kaluar ekspedita të shumta të pushtuesve të ndryshëm. Flitet se disa shtëpi të fshatit i kishte djegur pushteti bullgar në vitin 1917. Nga e ashtë quajtura Zia e Bukës nga ky vendbanim kishin vdekur 19 banorë. Në këtë vendbanim jeton popullata shqiptare vendëse. Mirëpo, në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore u kolonizuan 30 familje kolone serbe. Familjet kolone sllave u vendosën në Qafë të Duhlës dhe në vendin Biraq, në pronat e shqiptarëve, sidomos livadhet, si dhe ua morën pyjet. Në fillim të vitit 1941 kolonët u larguan dhe nuk janë kthyer më. Në këtë lokalitet u vendosën shumë kolonë. Kështu, sipas një dokumenti arkivor, Drejtorati Agrar i Qarkut të Prizrenit më 20.VII. 1931, i jep Aleska Arangjeloviqit nga Bresançiqi, rrethi i Prokuplës, në ngastrën e fshatit Dulje, rrethi i Podgurit, me një sipërfaqe që kap 12,35 ha. Nga ky vendbanim shumë banorë janë shpërngulur në Prizren, Therandë, fshatrat Kraishtë, Talinofc, Shtime, etj. Shënimet statistikore: • Në vitin 1913 kishte 411 banorë. • Në vitin 1919 - 41 shtëpi me 304 banorë (35 shtëpi shqiptare myslimane me 273 banorë dhe 6 shtëpi serbe me 31 banorë). • Sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 1921 - 52 shtëpi me 477 banorë. • Në vitin 1948 - 84 shtëpi me 564 banorë. • Në vitin 1953 - 89 shtëpi me 649 banorë. • Në vitin 1961 - 102 shtëpi me 722 banorë (640 shqiptarë, 71 serbë, 11 të tjerë). • Në vitin 1971 - 106 shtëpi me 881 banorë (880 shqiptarë, 1 të tjerë). • Në vitin 1981 - 133 shtëpi me 1230 banorë, (1229 shqiptarë, 1 mysliman). Para agresionit të pushtetit serb, sipas shënimeve të marra në fshat, në vitet 1998-99, ky vendbanim kishte 1854 banorë shqiptarë. Nga 210 shtëpi (të 165 familjeve), vetëm 17 shtëpi nuk janë djegur e shkatërruar. Janë djegur e demoluar pothuajse edhe të gjitha objektet tjera ndihmëse dhe ekonomike. Është dëmtuar edhe shkolla dhe ambulanca e fshatit. Janë të vrarë nga ky fshat 15 persona, një dëshmor, pleq dhe të rinj. Popullata ishte dëbuar nga fshati.

1
1
1
1
1
1

Galeria