Dragaqina

Shtrihet rreth 18 km në verilindje të Therandës. Është vendbanim i tipit të grumbulluar i vendosur në një kodër. Afër fshatit, në Dragaçinën e Poshtme, pranë lumit ka qenë një vendbanim i vjetër, ku edhe sot e kësaj dite banorët e quajnë Te Shtepite e vjetra. Pastaj ekzistojnë edhe themelet e një objekti (kishe) në vendin e quajtur Komullar. Një fshat tjetër i vjetër është shtrirë në mes fshatit Malas (Muhlan) dhe Trolli (Dragaçinë) që ka gjurmë të shumta dhe quhet me emrin Katunishte (Staraselle). Në vendin Te Vidhat, duke u ngjitur për Katunishte (Staraselle) ekzistojnë varreza të moçme. Janë ruajtur disa mikrotoponime të vjetra, por duhet theksuar atë Vreshtat e Moçme, Te Shpiat e Vjetra, Guri i Rekes, Komullah, Bokat, Rezinat, Kodra e Gjate, Kodra e Shkurte, Tepat, Shpati i Perronit, Udha e Ramadanit, Ara e Zamit etj. Me emrin Dragaceta është i regjistruar në defterin e Sanxhakut të Shkodrës i varur nga Prizreni dhe kishte 9 shtëpi e 1 beqar. Më vonë nuk e hasim ne dokumentet c shkruara, si duket ndoshta ishte i braktisur. Banorët e sotëm të këtij vendbanimi vijnë dhe vendosën nga fshati i afërt Çadrak. Një vëllazëri e vendosur këtu filloi të quhet me emrin Trolli, pasi që ishte vendosur në troll të ri. Kjo familje nuk ishte vendosur në pjesën e poshtme të fshatit ku ishte vendbanimi i vjetër por në pjesën e ngritur, në një kodër dhe krijon vendbanim të ri. Nuk dihet se në atë kohë a ka pasur banorë në pjesën e poshtme dhe të vjetër të fshatit. Në pjesën e poshtme dhe të vjetër të fshatit ka pasur mullinj të njohur të asaj ane. Ajo ishte tokë e zotërisë, pronë e Kurtesh Hajdinit nga Gjyteti (Grejçeci). Thuhet se banorët e Trolli (Dragaçinës së Vjetër) janë shpërngulur në Prizren, e gjetiu. Një familje është vendosur edhe në Bujan të Lypjanit dhe quhet me emrin Dragaçinaus. Në vitin 1879 është i regjistruar si vendbanim me emrin Dragaçina dhe kishte 3 shtëpi shqiptare dhe i takonte Bajrakut të Suharekës. Në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311h), të vitit 1896 (1314 h) si dhe në vitin 1900 (1314 h), është i regjistruar me emirin Diragocin. Në administratën shtetërore serbe e jugosllave llogaritej në fillim si fshat e pastaj si lagje e fshatit Duhel. Kështu, në vitin 1913 si fshat kishte 61 banorë, ndërsa në vitin 1953 si lagje kishte 12 shtëpi me 113 banorë. Shumë familje shqiptare nga terrori serb pas vitit 1912 shpërngulën nga fshati. Disa familje janë shpërngulur në disa vendbanime të tjera të Kosovës dhe një në Shkup. Janë vendosur sidomos në Gelancë, Reshtan, Therandë, Prizren etj. Ky vendbanim, sipas shënimeve të marra nga banorët, para agresionit serb në vit. 1998-99 kishte 26 shtëpi me 312 banorë shqiptarë. Ndërsa sipas shënimeve të Kuvendit Komunal në vitin 2000 kishte 500 banorë. Më 21 prill 1999 ushtria serbe ndau nga familjet 11 kryefamiljarë dhe një mysafirë të cilët i vrau mizorisht dhe kufomat i kishin gjuajtur në një pus të thellë 26 metra dhe për ti humbur gjurmët atë e kishin mbuluar. Pasi kishin krye këtë akt mizor ia kishin vënë zjarrin fshatit, ku kanë djegur të gjitha shtëpitë dhe e kishin shndërruar në gërmadhë. Policia kishte vrarë edhe një fëmijë 17 vjeçar i cili kishte zbritur në fshat për të marrë ushqim për familje. Gjakpirësit bënë edhe vepra të tjera antinjerëzore në popullatën e këtij vendbanimi. Gjatë ofensivave serbe në vjeshtë të vitit 1998 dhe pranverë të vitit 1999 popullata ishte strehuar në malet e afërta. Nga agresori serb u dogjën 23 shtëpi si dhe shkolla e fshati me tëre dokumentacionin dhe disa biblioteka private. Banorët u larguan me dhunë nga fshatit më 26 prill 1999 dhe u dëbuan në Shqipëri (gra e fëmijë), ndërsa të rriturit qëndruan nëpër male dhe disa iu bashkuan radhëve të UÇK-së. Sipas raportit të Human Right Watch, informon se policia kishte marrë njëmbëdhjetë pleq të fshatit, i kishte vrarë dhe më pas flakur në një pus të fshatit, që më pas i kishin hedhur në erë. Ekspertët e kriminalistë të Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës zbuluan dymbëdhjetë trupa (personi i dymbëdhjetë ishte vrarë më 5 maj). Në raport përshkruhen edhe vepra të tjera makabre, antinjerëzore të paramilitarëve serbë e romë.

1
1
1
1
1
1

Galeria