Dobërdelan

Ky vendbanim shtrihet në një luginë, rreth 12 km në perëndim të Therandës. Është vendbanim i tipit të grumbulluar. Sipërfaqja: 801 ha, 25 ari, 06 met. katror. Fshati sot përbëhet prej familjeve Gallapeni, Balaj, Shalaj, Cikaqi etj. Mikrotoponimet më karakteristike: Quka, Lluka, Fushat, Arat-mel, Rrafshet, Shkoza, Arat e Kronit, Gurishta, Arat e Katunit, Butiat, Bllata etj. Si duket është vendbanim i vjetër. Siç flitet në popull në lagjën e Gallapenëve kane qenë tri kisha ilire. Në mes të fshatit, në vendin ku thuhet se ka qenë kishë, gjatë punimeve të ndryshme dalin eshtra, që dëshmojnë se aty ka pasur varreza. Kisha më e vjetër ka qenë te varrezat e vjetra. Thuhet se në kohën e sundimit osman, aty ka kaluar një pashë dhe ka dhënë urdhër që të shkatërrohen dhe është kërcënuar se kur të kthehet nëse i gjen do ti vrasë të gjithë banorët. Fshati ishte i njohur edhe si vendpunishte e artizanateve të ndryshme të kësaj ane. Në dokumentet e shkruara përmendet në kartën e Manastirit të Deçanit të vitit 1327. Te një banor shqiptar i fshatit Grejkoc është ruajtur një antimin i kishës së Dobërdolanit (tani Ilirionit), i vitit 1564 të cilin ai e mbante rreth gjoksit si hajmali. Kjo do të thotë se ato kisha ishin më parë shqiptare dhe u takonin atyre, prandaj ata i konsideronin normalisht të veta. Në defterin kadastral osman të Sanxhakut të Prizrenit te vitit 1591 kishte 40 shtëpi e bashtina dhe 11 beqarë. Në një shkresë të arqipeshkvit Pjetër Karagiqi të vitit 1725, shkruan se në Prizren famullitar dhe misionar apostolik është studenti i Kolegjit Ilirik të Loretos, don Pjetër Bytyçi. Këtij misioni i takon edhe fshati Doberdolan me 2 shtëpi me 2 anëtarë besimtarë të krishtere. Me emrin Dobridolan, përkatësisht Dobërdolan është i regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311 h), të vitit 1896 (1314 h) dhe të vitit 1900 (1318 h). Fshati gjatë historisë ka pësuar mjaft, si dhe janë shpërngulur në vise të ndryshme. Dy familje kanë ikur në Shqipëri. Edhe në vise të ndryshme të Kosovës, si në Prizren, Pejë, Karraticë të Drenicës, Piranë, Arbanë (Dushanovë) etj., janë shpërngulur shumë familje. Disa nga ato e mbajnë mbiemrin e fshatit të tyre. Shënimet statistikore: rreth vitit 1879 kishte 16 shtëpi shqiptare; në vitin 1913 - 352 banorë shqiptarë; në vitin 1918 - 32 shtëpi shqiptare me 311 banorë; në vitin 1921 - 31 shtëpi me 280 banorë; në vitin 1948 - 64 shtëpi me 501 banorë; në vitin 1953 - 68 shtëpi me 549 banorë; në vitin 1961 - 72 shtëpi me 626 banorë shqiptarë; në vitin 1971 - 83 shtëpi me 879 banorë shqiptarë; në vitin 1981 - 104 shtëpi me 1158 banorë shqiptarë. Ky vendbanim para agresionit serb, sipas shënimeve të marra në fshati në vitin 1998-99 ka pasur 218 shtëpi me rreth 1800 banorë shqiptarë. Ndërsa, në vitin 2000 sipas shënimeve të Kuvendit Komunal kishte 1540 banorë. Nga agresioni serb në vitet 1998-99 janë të shkatë-rruara dhe të djegura 204 shtëpi dhe shumë objekte përcjellëse, pastaj shkolla me dokumentacionin e saj pedagogjik, biblioteka me rreth 400 libra, ambulanca, ndërsa edhe minarja është shkatërruar në një masë të madhe. Nga ky fshat janë vrarë 6 persona. Dy persona janë të zhdukur. Në këtë vendbanim për herë të parë del në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës për këtë rajon. Banorët e fshatit janë deportuar në Shqipëri më 1 prill 1999, një pjesë kanë mbetur në malet e Turjakës e Senikut. Është fshati i parë i Zonës Operative të Pashtrikut ku ka vepruar UÇK-ja ilegalisht dhe pastaj vepron legalisht.

1
1
1
1
1
1

Galeria